Manastiri i 40
Manastiri i 40
Manastiri i “Dyzetë Shenjtorëve” gjendet në juglindje të portit të Sarandës, në rrëzë të një kodre. Prej këtij manastiri e ka marrë emrin qyteti i Sarandës, Άγιοι Σαράντα, që do të thotë “Dyzetë Shenjtorët”.
Manastiri i “Dyzetë Shenjtorëve” e ka pasur kulmin e zhvillimit në shekullin VI dhe ka shërbyer si qendër pelegrinazhi. Në manastir janë bërë ndërtime të shumta dhe modifikime të pjesëve të veçanta, në funksion të shtimit të numrit të pelegriëve. Manastiri përbëhej nga kisha, portikët, baptisteri, vaskat e pagëzimit, dhomat e murgjve, ambientet për akomodimin e pelegrinëve, sternat, parakliset, si dhe vendi për ruajtjen e relikeve të shenjta. Nga gërmimet arkeologjike të realizuara prej vitit 2002 deri në vitin 2013 nga Instituti i Arkeologjisë janë gjetur objekte të shumta, të cilat i përkasin fushave të arkitekturës, skulpturës, pikturës murale, mbishkrimeve kishtare, objekteve prej metali, kocke dhe qelqi, monedhave, qeramikës etj.
Bazilika madhështore e Dyzetë Shenjtorëve ka shërbyer si seli peshkopale. Kisha e manastirit përbëhej nga naosi, nartekse dhe një çati madhështore. Në anën perëndimore të kishës ishin të vendosura dy nartekse, prej të cilëve pelegrinët sodisnin panoramën e gjirit të Sarandës dhe ngushticës së Korfuzit. Hyrja në kishë realizohej nëpërmjet tri dyerve të mëdha. Muret e kishës janë rrënuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1944 nga artileria Britanike.
Në anën e jashtme të mureve perëndimorë dhe veriorë gjenden katër mbishkrime me tjegulla të kuqe dhe copa qeramike, të cilat përmendim tre emra dhuruesish, Qirjakon, Theodhorin, Parigorin, ndërsa dhuruesit të katërt i dihet vetëm shkronja e parë e emrit (M). Mbishkrimet janë lutje të shkruajtura në gjuhën greke drejtuar Zotit për mbrojtien e dhuruesve.
Bazilika e Dyzetë Shenjtorëve është shpallur monumet kulture në vitin 1970.
Arsyeja që ky manastir ishte kthyer në një qendër pelegrinazhi buron nga gojëdhanat që lidhen me “Kulti i Dyzetë Shenjtorëve të Sebastisë”.
Në vitin 320, në Sebasti të Armenisë u martirizuan 40 shenjtorë. Ata qenë ushtarë nga vende të ndryshme, por shërbenin në të njëjtin repart. Guvernatori i provincës Agrikola i kishte komunikuar armatës së tij një dekret të Likinit, i cili i urdhëronte të gjitha legjionet të bënin flijime për perënditë pagane. Grupi prej 40 ushtarësh u paraqit tek eprorët dhe deklaruan se ishin të krishterë. Guvernatori mendoi t’i ekzekutonte me anën e një torture të mundimshme. Ai urdhëroi që shenjtorët t‘i zhvishnin dhe t‘i hidhnin në liqenin e akullt të Sebastisë. Për t`i tunduar më shumë, pak më larg përgatitën një banjo të nxehtë. Ai që do të pendohej dhe s’do të pranonte t`i bëhej fli perëndive, do të shkonte në banjo për t`u ngrohur. Martirët vrapuan drejt pellgut, u zhveshën dhe u krodhën në liqenin e akullt. Mjerisht njeri prej tyre u tundua, braktisi ujin e ftohtë të liqenit dhe u hodh në banjon e nxehtë, por në vend të shpëtonte gjeti vdekjen.
Njërit prej rojeve iu shfaq një vizion. Ai vuri re se prej qiellit po zbrisnin kurora mbi kokat e 39 ushtarëve, që gjendeshin në ujrat e ftohta të liqenit. Njëra prej kurorave qëndronte në qiell, pra ishte ajo e ushtarit që dezertoi, prandaj roja u zhvesh dhe u hodh në ujë. Kështu u plotësua numri i 40 martirëve. Emrat e tyre janë: Kirion, Klaud, Domn, Sevirian, Eftik, Kirill, Theudhul, Vikrat, Agiu, Isik, Evnoik, Meliton, Ilia, Aleksandër, Saqerdon, Ual, Prisik, Hudhion, Irakli, Ekdhiq, Joan, Filoktimon, Flavio, Ksanth, Valer, Nikolla, Athanas, Theofil, Lisimak, Gai, Klaud, Smarad, Sisin, Leont, Aet, Akaq, Domet, Gorgon, Julian dhe Agall. Të krishterët pasi i dogjën trupat e shenjtorëve, hirin e tyre e hodhën në lumë.
Nga Sebastia kulti i Dyzetë Shenjtorëve është përhapur në Mesdheun Lindor. Shën Grigori i Nisës në librin e tij “Jeta e Makrinës” përmend një martirium të Dyzetë Shenjtorëve të Sebastisë. Dyzetë Shenjtorët e Sebastisë nderoheshin edhe në Qesari, ku reliket e shenjta mbaheshin në një martirium. Këtë fakt e përmend Shën Vasili i Madh (330-379) në shkrimet e tij. Manastire të dedikuar Dyzetë Shenjtorëve gjendeshin në Kalcedoni dhe në Theodosiopolis të Armenisë. Ndërsa në Kostandinopojë qenë nëntë kisha detikuar Dyzetë Shenjtorëve.
Rrethanat se si u sollën reliket e Dyzetë Shenjtorëve nga Sebastia në Sarandë janë të panjohura. Gjithsesi, prania e manastirit dhe pelegrinët e shumtë që vinin nga vise të largëta për të nderuar martirët, vërteton faktin që reliket kanë ekzistuar. Pelegrinët hynin në dhomën e nëndheshme nëpërmjet një kalimi në anën veriore të kishës.
Përhapjen e kultit të Dyzetë Shënjtorëve në viset shqiptare e vërtetojnë ikonat e afresket e shumtë që paraqesin martirizimin e tyre edhe në vende të tjera si në bazilikën e rrënuar të Peshkëpisë, në Nivicë; në manastirin e Kakomesë, në kishën “Lindja e Shën Mërisë” në Elbasan.
Vendndodhja
Në majë të kodrës së Gjashtës
THEMELUAR
Periudha Antikiteti i Vonë shek.VI
SIPËRFAQJA
40 m gjatësi x 24 m gjerësi